Policia e Lezhës ka dalë në një deklaratë për media, ku ka dhënë më shumë detaje mbi zhdukjen e Mariglen Gjonit në vitin 2015, eshtrat e të cilit u gjetën pak kohë më parë.
Sipas bluve, eshtrat e gjetura ne Kurbin i përkasin 16 vjeçarit, ndërsa është konfirmuar se autori është Kristjan Cenaj.
Ky i fundit, sipas policisë, e vrau 16 vjeçarin për t’i marrë orën Rolex që mbante në dorë dhe varësen e floririt.
Deklarata e plotë:
Përshëndetje,
Jam sot këtu, bashkë me prokurorin, për t’ju komunikuar rezultatet e operacionit policor të koduar “PRITJA”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë Kurbin dhe Institutin e Policisë Shkencore, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në vitin 2015, në Kurbin, ku është vrarë një shtetas i mitur 16 vjeç.
Strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë, kanë vijuar hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë Kurbin dhe si rezultat i një hetimi disavjeçar është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore, i ngjarjes së ndodhur në vitin 2015, në Kurbin, ku u zhduk në rrethana misterioze shtetasi i mitur Mariglen Gjonaj.
Advertisement
Më datë 19.05.2015, ka rezultuar se në Komisariatin e Policisë Kurbin, ka bërë kallëzim shtetasi F. Gj., se nipi i tij, shtetasi Mariglen Gjonaj, i vitlindjes 1999, banues në fshatin Ferrë Trashë, Kurbin, ishte zhdukur dhe kishin humbur çdo kontakt me të.
Lidhur me këtë kallëzim, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka regjistruar procedimin për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja e peng e personit” dhe më pas ia ka transferuar dosjen hetimore Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë, bazuar në kompetencën lëndore, për shkak se në momentin e ngjarjes, shtetasi Mariglen Gjonaj ishte i mitur (16 vjeç).
Advertisement
Pas hetimit 2-vjeçar nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda është vendosur pezullimi i hetimeve, pasi nuk ishte bërë i mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale dhe dosja hetimore e pezulluar i ka kaluar strukturave të specializuara të hetimit të DVP Lezhë, për veprime të mëtejshme për zbulim autori.
Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar së më datë 03.04.2022, në vendin e quajtur “Shëllinx”, në afërsi të Hidrovorit, në fshatin Adriatik, Njësia Administrative Fushë Kuqe, Kurbin, u gjetën eshtra dhe mbetje kockore humane, të cilat pas ekspertimit biologjik, rezultoi se i përkisnin shtetasit të zhdukur 7 vjet më parë, të miturit 16-vjeçar Mareglen Gjonaj.
Advertisement
Pas rifillimit të hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, strukturat e hetimit të DVP Lezhë, duke angazhuar ekspertët më të mirë, si dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit, nëpërmjet kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, marrjes së dëshmive, ballafaqimeve, si dhe analizës së tabulateve dhe qelizave telefonike, në interes të këtij hetimi, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, shtetasit Kristjan Cenaj, 30 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Ferrë Trashë, Kurbin.
Në këto rrethana, më datë 10.10.2022 është bërë ndalimi i shtetasit Kristian Cenaj, i datëlindjes 10.12.1992, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.
Advertisement
Ndalimi tij është bërë pasi më datë 18.05.2015, shtetasi në fjalë dyshohet se ka vrarë të miturin 16-vjeçar Mariglen Gjonaj, për përfitim pasuror, konkretisht vjedhjen e disa sendeve me vlerë, si orë dore e markes Rolex dhe varëse floriri etj, që i mituri i ka patur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është e angazhuar maskimalisht për të bashkëpunuar me qytetarët, me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit dhe të çdo paligjshmërie.
Advertisement
Policia është tërësisht e fokusuar për t’iu ofruar qytetarëve një shërbim sa cilësor dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë, në parametra optimalë. Në këtë kuadër ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, sepse bashkëpunimi sjell rezultate më të mira dhe rrit sigurinë në komunitet.