Kandidati i opozitës serbe për President të Serbisë, Zdravko Ponos, ka vazhduar të argëtojë iluzionet elektorale për gjoja “kthimin e Kosovës në Serbi”, përçka e akuzoi Aleksandër Vuçiçin se “e ka falur Kosovën”.
“Kurrë nuk do ta dorëzojë Kosovën”, tha ky kandidat për President të Serbisë në zgjedhjet e përgjitshme serbe që mbahen me 3 prill.
Ai vazhdoi narrativën e kahershme serbe për Kosovën, duke konsideruar se “është pjesë e Serbisë, dhe do të mbetet e tillë”.
“Qeveria në ikje e ka lënë Kosovën. Ata deshën ta japin, por nuk ia dolën. Ata deshën që ta dorëzojnë tërë Kosovën, duke ia dhënë dhuratë për fushatë elektorale Donald Trumptit. Nuk patën sukses, por na bënë dëm të madh”, ka thënë ai, transmeton “Danas”.
Rëndom në zgjedhjet serbe, Kosova shndërrohet në temë dhe betejë elektorale mes politikanësh, ku akuzojnë njeri-tjetrin për “tradhtarë”.
Edhe ky kandidat, që konsiderohet si i vetmi kandidat serioz për t’i bërë ballë Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet e 3 prillit, vazhdon po të njëjtën qasje ndaj Kosovës, ndonëse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran e njohur nga shumica dërrmuese e botës perëndimore.