Partia Socialiste e Tiranës vijon procesin e zgjedhjeve për drejtuesit e rinj në çdo njësi, teksa secili prej kandidatëve paraqet platformën e tij.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Erion Veliaj, i cili drejton procesin në 40 njësitë e Tiranës në nivel qarku, tha se gara në këtë familje politike vendos një standard të ri. Ai shtoi se socialistët e mbajnë kokën lart për punët e mira që kanë bërë dhe se ky është një shans i madh për një hapje të madhe të PS.
Duke ironizuar Partinë Demokratike, e cila ende sot nuk ka një kryetar legjitim dhe është më e përçarë se kurrë, Veliaj tha se diferenca është mjaft e madhe. “Ata pjesëtohen, ne shumëzohemi”, u shpreh ai.
“Ka një parti të Lulit, ka edhe një parti të Saliut. Ka një parti në Parlament të Alibeajt, ka edhe një parti të Flamur Nokës. Kurse partia jonë shumëzohet: Ne duam të kemi 27 administratorë, 27 kryetarë partie, 27 bashkëkryetarë partie, 27 kryetare të gruas, 27 kryetarë të rinisë, 27 sekretarë organizativ, 27 sekretarë për zgjedhjet, 27 sekretarë për mediat digjitale dhe 27 sekretarë për diasporën. Ne specializohemi në shumëzim, prandaj rritemi. Ata specializohen në pjesëtim, prandaj zvogëlohen. Unë besoj se e ardhmja e qytetit tonë iu përket atyre që rriten, që zgjerohen, që e hapin zemrën, që hapin derën, që hapin partinë, që hapin anëtarësinë. Kjo është fryma jonë”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se ky proces është shumë i rëndësishëm për sfidat e ardhshme zgjedhore.
“Mezi pres që ta mbyllim këtë proces, që e fillojmë nga Njësia 2 në 40 njësitë e qarkut tonë, për t’u siguruar që në 2023-shin flasim me një gjuhë të re dhe përfaqësohemi nga një ekip i ri. Ne duhet të flasim me gjuhën e atyre që kanë lindur në vitin 2005. Atyre nuk u flasim dot për Saliun dhe Ilir Metën, por për ata që shkojnë te shkolla Kosova, te Liceu, apo për ata që luajnë te “7 Xhuxhat”, ku parkingun poshtë ia kthyem prapë qytetit. Ata që janë 16-17-18 vjeçarë nuk e dinë çfarë ndodhi në ‘96, ‘97, apo ’98; çfarë ndodhi në 21 Janar apo në Gërdec. Janë gjëra që duhet t’i dinë, por nuk është detyra jonë që të kërkojmë votë duke u krahasuar me më të ligën e vendit. Detyra jonë është të krahasohemi me më të mirën e vendit. Më e mira e vendit jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë”, u shpreh më tej Veliaj.
Në Njësinë 2 garojnë për kryetar të Partisë Socialiste 3 kandidatë: Sonila Qato, Elton Kacidhja dhe Andia Skënderi.