Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese reagoi të premten ndaj interpretimeve të shumta që pasuan vendimin e saj për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion lidhur me kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të konsideruar të pavlefshme zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019 dhe për ripërsëritjen e tyre.

Vendimi i Gjykatës u pa gjerësisht si një përpjekje e saj për të shmangur përgjegjësinë në interpretimin e një rasti me ngarkesë të theksuar politike. Nuk munguan as akuzat se po vepronte nën trysni politike, apo dhe dyshimet për mungesë të profesionalizmit. E gjitha kjo për faktin se Komisioni i Venecias ishte shprehur për dekretet Presidentit Meta i cili anullloi datën e parë të 30 Qershorit duke shpallur një datë tjetër në tetor të 2019-ës, si dhe kontekstin në të cilin u mor ky vendim, përfshirë bojkotin e opozitës.

Në deklaratën e saj Gjykata shpjegon se “objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë”.

Gjykata thekson më tutje se “çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë”.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Në deklaratën e saj, Gjykata nënvizon se dhe më herët ajo ka theksuar “rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur”.

Ndërsa duke ju rikthyer polemikave të fundit, ajo shprehet se “debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj”, përfundon deklarata e Gjykatës./ Burimi: VOA