Ish kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në Vorë, ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për këtë bashki Lulzim Vranën.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se investimet në bashkinë e Vorës janë hequr prej dy vitesh në infrastrukturë dhe ujësjellës.
“Ju falenderoj për përpjekjen dhe punën tuaj të çmuar në këto ditë të rëndësishme jo vetëm për Vorën, Lushnjës, Rrogozhinën, Durrësin, Dibrën dhe Shkodër por me domethënie të madhe dhe rëndësi të madhe për të gjithë Shqipërinë. Sot shqiptarët presin me padurim, me dëshirë të madhe ndryshimin me votën e lirë të qytetarëve. Presin ndryshimin sepse në këto 8 vite shqipëria u rrokullis në çdo drejtim. Më shumë se çdo gjë tjetër u rrokullisën buxhetet tuaja familjare. Gjendja juaj, mundësia juaj për të përballuar jetën. Sot pas 8 vitesh në vend që varfëria të shkonte në ulje progresive, në vend që rrogat dhe pensionet të ishin rritur, këto kanë ecur në drejtim të kundërt. Investimet në Bashkinë e Vorës në 2 vitet e fundit janë përjashtuar. Nuk ka pasur investim në rrugë, ujësjellës, kanalizime. Vora u godit shumë nga tërmeti. Shpërndarja apo dëmshpërblimi i dëmeve u bë si në diktaturë, për socialistët po për demokratët jo”, tha Berisha.