Një skemë mashtrimi me TVSH në Durrës ka çuar në pranga 5 persona.
Sipas verimeve hetimore, dëmi financiar në këtë skemë mashtrimi përllogaritet në një vlerë prej 6 milionë euro.
Bëhet fjalë për një skemë mashtrimi që konsiston në krijimin e 5 subjekteve private thuajse fantazmë me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.
Eshtë sekuestruar një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”, një hidrocentral i vogël në Dhërmi me sipërfaqe 700 m2, si dhe një apartament me sipërfaqe 215 m², në emër të shtetasit Enis Xhaferi, në zonën Lungomares në Vlorë.
Policia e Shtetit:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, për goditjen e skemave mashtruese që sjellin dëme të mëdha ekonomike.
Operacioni i zhvilluar nga strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e DVP Tiranë dhe Vlorë.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg” për 5 shtetas.
Vendoset sekuestro preventive për disa prona që arrijnë vlerën 2 milion euro.
Hetuesit financiarë, në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, kishin dërguar materiale hetimore paraprake në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila kishte regjistruar procedimin penal për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Në vijim të këtij procedimi penal u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: E. Xh., 38 vjeç, R. M., 30 vjeç, R. A., 39 vjeç, A. A., 45 vjeç dhe B. C., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Në zbatim të këtij procedimi dhe vendimit të prokurorit u bë sekuestrimi i aseteve të mëposhtme:
-Një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”;
-Një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi;
-Një apartament me sipërfaqe 215 m².
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej shtetasve të arrestuar, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar shoqëri fiktive, me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore. Produktet janë blerë pa dokumente tatimore dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore.
Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, kanë shkaktuar dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë euro.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.