Tre ditë pas grabitjes me armë të një institucioni financiar jo bankar në Tiranë, policia ka arritur të identifikojë autorin e ngjarjes. Sipas burimeve, autori është Kristi Çinari, i cili është shpallur në kërkim.
21-vjeçari u zbulua përmes kamerave të sigurisë përgjatë zonës ku ndodhi grabitja. Të njëjtat burime theksojnë se shuma e parave që u vodh është mbi 1 milionë lekë të vjetra. Mësohet se i riu kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu ku kishtë qënë i dënuar për vjedhje.
Sipas policisë dy ditë përpara se të bënte grabitjen, Çinari kishte vjedhur edhe një farmaci. I riu gjithashtu në vitin 2017 kishte arritur që të grabiste një farmaci në Rrugën e Kavajës në Tiranë.
Çinari së bashku me Foti Kristalin, 18 vjeç asokohe hynë brenda një farmacie dhe kërcënuan me armë punonjësen duke i marrë xhiron ditore.
Ndërkohë policia bën të ditur se Çinari ishte grabitës serial dhe po hetohet nëse ka lidhje edhe me disa vjedhje të tjera në vend.