Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ka nisur të zbatohet marrëveshja e arritur javën e kaluar në Bruksel, lidhur me targat.
Nga mëngjesi i së hënës, shenjat shtetërore të targave të makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, mbulohen me letër ngjitëse.
Të enjten palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pika e parë e së cilës parashihte atë që edhe ndodhi gjatë të shtunën– largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare.
Marrëveshja e 30 shtatorit uli tensionet, ndërmjet palëve, por zhvillimet para saj pasqyruan mospajtimet e thella ndërmjet Kosovës, që ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe Serbisë e cila kundërshton shtetësinë e saj.
Për dhjetë vjet me radhë të dyja palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane. Por, përparimi është ende i paktë.