Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot mocionin për heqjen e mandatit të deputetes për Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhacka. Deputetët Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja, Merita Bakiu, Emilja Koliqi, Ferdinand Xhaferri, Ilda Dhori, Arbi Agalliu, Saimir Korreshi, Orjola Pampuri, Selaudin Jakupllari, Zheni Gjergji, Flamur Hoxha dhe Dashnor Sula, i kanë kërkuar Kuvendit ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për Olta Xhackën.
Në mocion sqarohet se kompania e krijuar menjëherë pas miratimit të ligjit për investimet strategjike AG. TCC shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka, ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar. Shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së.
“Dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore, që ndalojnë deputetin dhe për efekt të ligjit bashkëshortin e tij, të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit, që passjell mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas neneve 70/2-3 dhe 71/2/c të Kushtetutës” – thuhet në mocionin e dorëzuar nga deputetët e PD.
Në mocionin e deputetëve demokrat sqarohet se nga dokumentacioni bashkëlidhur rezulton e provuar se shoqëria tregtare AG. TCC shpk ka përfituar të drejën për të kryer veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve në fushën e turizimit, në kohën në të cilën ka ushtruar mandatin e deputetit. “Ligji nr. 9367/2005 parashikon shprehimisht në nenin 35 të tij se “në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (që sipas ligjit është bashkëshorti), ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit. Për pasojë, në kuptim të ligjit dhe për efekt të zbatimit të ndalimit kushtetues/ligjor, shoqëria tregtare AG. TCC shpk konsiderohet në pronësi të vetë ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka. Për pasojë, përfitimet nga pasuria e shtetit, që burojnë nga vendimi nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES”, janë përfitime të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka.” – sqarojnë deputetët e opozitës.