Një shqiptar 45-vjeçar është arrestuar në aeroportin e Roterdamit.
Sipas mediave të huaja, 45-vjeçari u ekstradua drejt Gjermanisë, atje ku kishte një urdhër ndërkombëtar arresti. Ngjarja për të cilën akuzohet shqiptari ka ndodhur në 2010, kohë kur anash një autostrade në Leverkusen, u gjet trupi i pajetë i një italiani.
Bëhet me dije se shqiptari ka bashkëpunuar me një person tjetër, 54-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë, për vrasjen e italianit.
Hetuesit e policisë së Këlnit për “Rastet e Ftohta” rihapën çështjen në vitin 2022.
“Më shumë se 14 vjet pas zbulimit të trupit të një burri pranë parmakut të autostradës në Leverkusen, policia ka identifikuar një të dyshuar. 45-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e vrasjes nga pakujdesia, u vu re gjatë një kontrolli në aeroportin e Roterdamit”, njoftoi policia e Këlnit.
Sipas njoftimit zyrtar nga policia, gjurmët gjenetike të zbuluara në trup kanë çuar drejt shqiptarit dhe bashkëpunëtorit të tij. Sipas policisë, vijojnë hetimet për persona të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe sfondin e vrasjes. /vizionplus.tv