Këto janë momentet kur forcat speciale të Reneas arrestojnë Edmond Përdodën, autorin e dytë të dyshuar të vrasjes së rapsodit të njohur Kol Murranit dhe bashkëfshatarit të tij Preng Simonit.
39-vjeçari u kap në shtëpinë e tij në fshatin Lalm i Ri në Lezhë. Aksioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga ana e agjentëve.
Dhjetëra forca policie, pasi rrethuan banesën, i bënë thirrje Përdodës që të dorëzohej ndërsa e mbanin në monitorim edhe nga ajri me dron në rast se do të tentonte të largohej.
Gjatë kontrollit në banesë, hetuesit gjetën një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.
39-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Edmond Përdoda sipas prokurorisë së Lezhës, dyshohet se në bashkëpunim me vëllain e tij Aleksandër Përdoda, i cili ndodhet në burg, ekzekutuan me armë zjarri Kol Murranin dhe Preng Simonin.
Ngjarja ndodhi në 27 prill të vitit 2020 në fshatin Lalm i Ri, ndërsa shkak u bë një konflikt pronësie. 39-vjeçari, Edmond Përdoda, sipas policisë, është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa ka qenë i dënuar më parë në shtetin grek për vrasje.