Ish-kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas arrestimit të kupolës drejtuese të policisë në Elbasan për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas Bashës, çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Basha ka publikuar një video, në të cilën tregon sesi drejtuesit e policisë në momentin që ndodhi ngjarja dhanë dëshmi të rreme.
“Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën.
Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima”, shkruan Basha.