“Po ta dija që e ka bërë djali im, ai sot nuk do të ishte gjallë”, nis kështu prononcimi i parë nga familja e Naim Murselit, porositësit të vrasjes së bashkëshortes së tij, me të cilën kishte dy fëmijë.
Babai i Naim Murselit në një intervistë për mediat në Kosovë shprehet se viktimën, Liridonës, që i dhuroi dy nipër, e ka dashur më shumë se vajzat e tij.
“Besoni as me Naimin as me vokat, s’kam komuniku mo, se Liridonen e kom dasht ma shumë se vajzat e mija.”
Ai shprehet se ndjen dhimbjen e familjes së viktimës, teksa nuk mundet të mbajë lotët gjatë këtij rrëfimi.
“Unë jam me ata nuk jam me Naimin, nuk kam pas fytyrë me iu dalë përballë”, thekson ai.
Më tej, ai tregon momentin e përballjes me të vërtetën, duke theksuar se nuk kishte asnjë indicie për të kuptuar se ishte i biri organizator.
“Jemi ulur në kolltuk së bashku, me një polic derisa po bastisej dhoma e Naimit. Ai më tha, ne kemi prova se Naimi është kryesi i veprës. Aty unë jom trondit. Me ma pas dhanë krejt botën nuk më kish shku mendja që djali im me pas bë atë gjest.”- ka thënë ai.
Ai nuk “kursen” ndëshkimin ndaj të birit, duke thënë se do e merrte ai vetë hakun, nëse do të ishte në dijeni.
Liridona Ademi u vra nga Granit Plavaj, personi që i shoqi i premtoi 30 mijë euro për “ta hequr qafe”. Dëshmitarë të vrasjes makabre, të inskenuar si grabitje me pasojë vdekjen, ishin edhe dy djemtë e mitur të viktimës.