Mbi 10 persona janë shoqëruar nga Policia e Vlorës për vrasjen e 31-vjeçarit Tauland Gjikaj ditën e mërkurë.
Vizion Plus mëson se ata janë dëshmitarë të rastit, të cilët janë marrë në pyetje për më shumë detaje. Ata kanë treguar dinamikën e ngjarjes, të dhëna për pamjen e personave që ndodheshin në automjetin tip Ford dhe trajektoren që ndoqi makina.
Fillimisht, në komisariat, Hansi Jonuzi nuk e ka pranuar krimin, duke thënë që s’kishte lidhje me ngjarjen, por pamjet filmike, gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, si dhe arrestimi i tij në po të njëjtin mjet që ka ndodhur vrasja, kanë qenë të pakundërshtueshme për policinë, e cila ka bërë arrestimin e tij.
Policia e Vlorës ka identifikuar edhe dy persona të tjerë, për të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e atentatit. Po ashtu, janë kryer edhe kontrolle në disa banesa të zonës.