“Vrasësi erdhi nga mbrapa dhe qëlloi me breshëri nga dera e shoferit”, kështu ka deklaruar në polici bashkëshortja e 41-vjeçarit Everest Çaka, i cili u ekzekutua mbrëmjen e të martës në Elbasan.
Silvana Çaka ka rrëfyer para hetuesve se ekzekutorët i goditën nga mbrapa me makinë dhe më pas hapën zjarr.
Silvana Çaka
Advertisementgoogle_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";
“Sapo dolëm nga shtëpia e prindërve të mi. Jetojnë me qera në lagjen “Skënderbej”. Sapo makina jonë nisi lëvizjen një mjet na godet nga pas, kujtuam se ishte aksident. Pashë një burrë që u afrua tek xhami i shoferit dhe mbante në duar një armë. Ai qëlloi disa herë në drejtim të Everestit, kryesisht në qafë dhe në gjoks. Një plumb më goditi në krah. Dola menjëherë dhe thirra për ndihmë. E kuptova që goditja nga pas e makinës ishte rreng i mirëmenduar i vrasësve, që na kishin zënë pritë.”
Burime pranë grupit hetimor thanë për Vizion Plus se në atentat morën pjesë dy persona. Ata ishin të maskuar ndërsa e qëlluan viktimën me armë me silenciator 12 herë në kokë dhe në trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Dy autorët mendohet të kenë qenë vrasës me pagesë pasi atentati ishte i mirëorganizuar. Ekzekutorët ishin në dijeni të lëvizjeve të 41-vjeçarit pasi shfrytëzuan një rrugicë të lagjes “Skënderbe” ku mungonte ndriçimi si dhe kamerat e sigurisë.
Dyshohet se në krim kanë marrë pjesë dhe persona të tjerë të cilët kanë siguruar largimin me shpejtësi nga vendngjarja të ekzekutoreve. Ata u larguan drejt Golemit, pasi pak orë pas krimit në këtë zonë u gjet e djegur një makinë tip “benz” pa targa.
Deri më tani hetuesit krahas provave të mbledhura kanë dhe një dëshmitar kyç që ishte në vendngjarje dhe që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Ndërkohë mësohet se 25 persona u shoqëruan gjatë natës në polici. Ata u morën në pyetje dhe më pas u lanë të lirë. Mes tyre kishte edhe persona që ishin në hasmëri me 41-vjeçarin. Dy pistat që po hetohen janë ajo e prishjes së pazareve të drogës dhe ajo e hakmarrjes.
Everest Çaka apo siç njihej ndryshe dhe me emrin Ibrahim Çaka kishte dy muaj që ishte kthyer nga Spanja. Ai ishte një person me precedent penal pasi ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Elbasan. Në vitin 2010 ka qenë i dyshuar si një nga autorët e ekzekutimit të Gëzim Alikajt. Po ashtu në vitin 2011 ai u hetua edhe për vrasjen e trefishtë në lagjen “Syrja Dylgjeri”, ku vranë teksa flinin gjumë në banesë dy vëllezërit Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, si dhe babai i tyre, Emin Mahmuti.