“Vrapo per jeten”, Manastirliu bën bashkë zonjat e politikës: Të rrisim ndërgjegjësimin për luftën kundër kancerit të gjirit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Vrapo per jeten”, Manastirliu bën bashkë zonjat e politikës: Të rrisim ndërgjegjësimin për luftën kundër kancerit të gjirit

 Në kuadër të Tetorit Rozë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zhvilloi aktivitetin ndërgjegjësues në Sheshin Skënderbej “Vrapo për Jetën”, për të rritur ndërgjegjësimin për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

 

“Muaji tetor është një muaj ku nevoja për të bashkuar forcat, për të ngritur zërin për shëndetin e grave, bëhet më emergjente se kurrë. Nuk është vendosur pa qëllim një muaj i dedikuar për luftën ndaj kancerit të gjirit, sepse në këtë muaj të gjithë bëhemi bashkë, për të vajtur tek çdo grua, në zona urbane, në zona rurale, aty ku ende nuk ka vajtur ndërgjegjësimi, se kanceri i gjirit mund të luftohet, se kanceri i gjirit, nëse diagnostikohet në kohë është plotësisht i trajtueshëm”, tha Ministrja Ogerta Manastirliu në fjalën e saj.

Duke folur për ekzaminimet falas, Manastirliu u shpreh:
“Ne kemi siguruar që çdo spital rajonal të ketë mamografi. Mamografia për çdo grua është falas në çdo ditë të vitit, ndërsa në tetor shërbimi ofrohet edhe pasdite, edhe të shtunën. Duhet që çdo grua të dijë që mamografitë e lëvizshme janë kudo në Shqipëri për të kryer diagnostikimin kundër kancerit të gjirit”.

Advertisement

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se trajtimi i grave me kancer gjiri ka ndryshuar në këto vite, duke rritur jetëgjatësinë.

“Ajo çfarë ka ndryshuar në këto vite është mbështetja për trajtimin e grave. Nëse deri para pak vitesh nuk mendohej trajtimi me imunoterapi, me terapi të targetuar kundër kancerit të gjirit sot jo vetëm që është e mundur, po është e mundur për çdo grua dhe është falas, me terapi të shtrenjta të cilat i kanë mundësuar grave të jetojnë gjatë dhe të shërohen nga kanceri. Kemi dyfishuar buxhetin për terapitë në Shërbimin Onkologjik”, tha Manastirliu.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë. Në Shqipëri u diagnostikuan 714 gra me kancer gjiri gjatë vitit të fundit. Janë më shumë se 5 mijë gra që sot jetojnë me kancer gjiri në vendin tonë.

Qeveria shqiptare ka miratuar në vitin 2020 një program kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit, për të garantuar që çdo grua të kryejë periodikisht kontrollin e gjirit, duke garantuar një paketë të plotë shërbimesh që nis:
– nga informimi, këshillimi, në qendrat shëndetësore;
– tek ekzaminimi i mamografisë në poliklinika, spitale dhe përmes njësive të mamografëve të lëvizshëm;
– shërbimet e konfirmimit të diagnozës dhe trajtimit në Qendrën Universitare ‘Nënë Tereza’ por edhe në spitalet rajonale, me njësitë e kemioterapisë.

Advertisement

Të dhënat tregojnë se ka një trend në ulje të vdekshmërisë së stadardizuar, që lidhet me diagnostikimin e hershëm dhe kryesisht me trajtimin e sëmundjes.

Gjatë aktivitetit ishin të pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Zv/Kryeministrja Belinda Balluku, Ministre të kabinetit qeverisës,.si dhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy