Vjosa Osmani, presidente e Kosovës!

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës!

Pas një drame politike disa ditore, më në fund lëvizja Vetëvendosje në pushtet, me ndihmën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kandidaten Vjosa Osmanin si Presidente të Republikës së Kosovës. Media lokale e ka përshkruar Osmanin si “të patrembur” pasi ajo ishte ndër të parat që foli me guxim për elitën e korruptuar në pushtet – diçka kjo, jo e lehtë, duke marrë parasysh respektin që ata kishin fituar nga rolet e tyre gjatë luftës. “Osmani ka rrëmbyer zemrat e shumë qytetarëve të Kosovës, pasi ajo është karizmatike, e sigurt dhe një model i shekullit të 21-të për gratë”.

Për zgjedhjen e presidentes u zhvilluan tre raunde votimi. Në dy raundet e para të votimit, zonja Osmani nuk e mori numrin e mjaftueshëm prej 2/3 të votave, por në raundin e tretë në bazë Kushtetutës, nevojiteshin të paktën 61 vota, duke bërë kështu të sigurohej numri i mjaftueshëm i votave për ta bërë Vjosa Osmanin Presidente të Kosovës. Zgjedhja e Osmanit si presidente i hap rrugën Kosovës për adresimin e çështjeve urgjente në rendin e ditës, duke filluar nga pandemia, në një kohë kur vendi ka mungesë furnizimesh me vaksina, ndërsa numri i lartë i infektimeve ka përkeqësuar situatën në spitale.

Për shumë ekspert zgjedhja e Osmanit si presidente konsiderohet si një zgjedhje e merituar për një femër të angazhuar politikisht, të pa ndihmuar nga zarfet dhe fondet e oligarkëve, me një bagazh intelektual që do bëj të mundur që të lërë një gjurmë në jetën politike të Kosovës. Osmani presidentja e dytë femër në Kosovë, i kushtoi një vëmendje të posaçme vajzave dhe grave të Kosovës. “Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë me zell. Do t’ju mbështes me gjitha mundësitë që kam e me gjithë qenien time”, tha Presidentja në një pjesë të fjalimit të saj.

Ndërsa detyrat e presidentit janë kryesisht ceremoniale, por ajo gjithashtu do të ketë një pozicion drejtues në politikën e jashtme si dhe komandante e forcave të armatosura.

Advertisement

Por mediat dhe forcat e tjerat politike në Kosovë janë kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit si presidente, sepse sipas tyre kjo zgjedhje e vendos Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetë-vendosje do të ketë de facto dhe de jure, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin”.  Një tjetër arsye kundër zgjedhjes së presidentes së re është edhe Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese por skajshmërish përçarëse. “Osmani ka dëshmuar se është në diktatin total të kryeministrit Kurti dhe që do t’i shërbej vetëm interesave të tij dhe jo të interesave të shtetit të Kosovës”-është shprehur kryetari i  Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ashtu si Kryeministri Kurti edhe Osmani paraqiten si pjesë e gjeneratës së ardhshme të politikanëve të Kosovës, duke pretenduar vlera më liberale dhe duke u zotuar të trajtojnë korrupsionin e përhapur. Fokusi politik i Osmanit është në luftimin e dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Por, ndryshe nga Kryeministri Kurti rifillimi i bisedimeve me Serbinë nuk është një nga prioritetet kryesore për Osmanin. Rifillimi i bisedimeve të normalizimit me ish-armikun e luftës Serbinë është përparësi në listën e saj.

Këtë gjë e ka bërë të ditur që në momenti që mori detyrën si presidente, më 5 Nëntor 2020 ku në fjalimin e saj të parë përmendi krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe u shpreh se agresori dhe viktimat nuk duhet të barazohen. “Ne shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidial dhe Serbia ishte shteti që kreu krimet. Këtë duhet ta themi çdo herë me zë të lartë”, u shpreh Osmani atëherë. Po ashtu edhe në ditën e zotimit si presidente, Osmani foli për dialogun me Serbinë, duke thënë se paqja “do të arrihet vetëm nëse shohim pendesë nga Serbia”. Dhe se do të punojë që interesi nacional të jetë mbi të gjitha, që të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

Përveç çështjeve të ngutshme të brendshme, komuniteti ndërkombëtar ka qenë i etur të shoh një farë stabiliteti në institucionin e Kosovës në mënyrë që të adresojë dialogun e vonuar me Serbinë për normalizimin e marrëdhënies midis dy armiqve të vjetër.

Advertisement

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e Presidentit të ri”, thuhej në deklaratën e përbashkët të QUINT.

Po, ashtu edhe SHBA dhe BE mirëpresin zgjedhjen e Osmanit si presidente. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë uruar Osmanin për zgjedhjen e saj në krye të shtetit. Edhe Bashkimi Europian ka uruar Osmanin për zgjedhjen në postin e presidentit, duke thënë se tani pret që të rinisin reformat dhe dialogu.

Por, me zgjedhjen e Osmanit si presidente ka një shqetësim të bazuar, se mund të ndodhin ndryshime shumë të mëdha në të cilat jo gjithnjë do të përfshihet opozita apo shoqëria civile. Pushteti në duart e Kurtit është tashmë një test për demokracinë. Do të shohim nëse Kosova do të ndjek rrugën e Shqipërisë apo do vazhdoj të na suprizojë ashtu siç kanë bërë deri më tani.

Përgatiti: Armela Toska

Advertisement

 

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy