Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 2 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.
Bëhet fjalë për dy vila, një apartament, dy sipërfaqe toke, 4 automjete dhe 20% të aksioneve të një biznesi privat, në pronësi të një 34-vjeçari.
Prokuroria po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
“Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Transaksionet”, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit S. A. alias G. K. alias S. K., 34 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas është ndaluar më parë nga autoritetet policore hollandeze dhe gjermane, si i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrim parash”. Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro, konkretisht: •Një ndërtesë (vilë), së bashku me një sipërfaqe trualli, në Palasë, Vlorë; një ndërtesë (vilë) në Sauk; një apartament në Rrugën e Elbasanit; dy sipërfaqe toke në Sauk; 4 automjete dhe 20% të aksioneve të një biznesi privat.”