Këshilli i Lartë Gjyqësor është mbledhur këtë të hënë për të trajtuar kërkesën e ILD për marrjen e masave disiplinore ndaj kryegjyqtarës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
ILD ka kërkuar fillimisht pezullimin e gjyqtares nga detyra dhe më pas shkarkimin e saj. Kjo kërkesë u bë pas publikimit të videove në “Tik Tok” të Kapedanit, ku shfaqej duke “sfiluar” në ambientet e Gjykatës së Elbasanit.
Kreu i ILD-së, Artur Metani deklaroi se ekzistojnë kushtet që gjyqtarja të pezullohet.
“Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.”, tha Metani.
Gjyqtarja mohon kategorikisht të ketë llogari në rrjete sociale. “Ato mund t’i kenë hedhur fëmijët e mi, vajza dhe djali, njëri pesë dhe tjetri 7 vjeç”, deklaroi ajo.