Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5 në Kamzë, operacioni policor i koduar “Filiali”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar të grabitjes së filialit të Postës SHqiptare në Babrru, shtetasve R. S., 15 vjeç, banues në rrugën “Gani Kryeziu” dhe E. L., 17 vjeç, banues në rrugën “Ilmi Kolgjegja”.
Këta shtetas, më datë 15.12.2021, rreth orës 09:15, të maskuar me kapuçët e xhupave që kishin veshur, kanë hyrë në filialin e postës Shqiptare në Babrru dhe nën kërcënimin e një arme lodër, kanë marrë 200.000 lekë dhe janë larguar me biçikleta.
Gjatë kontrollit të banesave të tyre janë gjetur e sekuestruar 160.500 lekë të rinj dhe një nga biçikletat e përdorura për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.