Vetëvendosje flet për minishengenin ballkanik: Tirana po gabon, të mos sillet sikur Kosova s’ekziston

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Vetëvendosje flet për minishengenin ballkanik: Tirana po gabon, të mos sillet sikur Kosova s’ekziston

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri reagoi ashpër për takimin virtual të mbajtur këtë të martë mes liderëve të rajonit, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç, në kuadër të minishengenit rajonal.

 

Vetëvendosje tha në rrjetet sociale se ky minishengen i shërben vetëm Serbisë, ndërsa i tërhoqi vëmendjen Shqipërisë të bashkëpunojë e krijojë treg të përbashkët me Kosovën.

 

Advertisement

“Interesat kombëtare kërkojnë që Shqipëria të përfshihet në iniciativa diplomatike rajonale me Kosovën dhe duke marrë parasysh qëndrimet e kësaj të fundit. Shqipëria dhe Kosova nuk janë të lidhuara vetëm historikisht, kulturalisht dhe emocionalisht me njëra tjetrën, por edhe ekonomikisht dhe në nivel diplomatik sa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare me shtetet e tjera. Tirana zyrtare gabon kur vepron në drejtim të normalizimit ndërkombëtar të Serbisë, para se Serbia të normalizojë vetveten. Duhet që Serbia të njohë të shkuarën e vet, të ballafaqohet me të dhe të nisë “demillosheviçizimin”. Ajo duhet të kërkojë falje për krimet, të dënojë kriminelët, të dëmshpërblejë viktimat dhe të njohë Kosovën. Këto janë kërkesa minimale që çdo pushtet që në Tiranë ka parasysh interesat kombëtare duhet t’i çojë përpara ndërkombëtarisht sa herë që mundet. Iniciativat e tilla, të tregtisë së lirë, nuk janë formale. Ato kanë pasoja ekonomike. Nuk duhet që në emër të shtetit të nënshkruhen marrëveshje, pa u bërë më parë një analizë e hollësishme e përfitimeve dhe e kostove, si dhe pa u konsultuar në mënyrë transparente me grupet e interesit, që në këtë rast janë prodhuesit vendas në Shqipëri e Kosovë. Shqipëria dhe Kosova duhet të konkretizojnë e zbatojnë sa më parë marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive, duke krijuar një treg të përbashkët, ku prodhuesit e Shqipërisë dhe Kosovës mbrohen e drejtohen për të zhvilluar avantazhe në sektorë strategjik me potencial ekonomik. Shqipëria nuk mund të zbatojë projekte rajonale duke u sjellë sikur Kosova nuk ekziston. Jemi dy shtete të të njëjtit komb dhe duhet të veprojmë të koordinuar ngushtë në bazë të interesave kombëtare.”

 

Për Lëvizjen Vetëvendosje, minishengeni është ideuar dhe krijuar nga Serbia për të dominuar ekonomikisht dhe politikisht gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë, shtoi VV, Shqipëria dhe Kosova janë të hapura ndaj ndikimit të Serbisë dhe Rusisë.

 

Advertisement

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy