Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot kryetarin e Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas, i cili ka ardhur për një vizitë pune, me rastin e Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kryebashkiaku Veliaj, i cili i dhuroi kryetarit Zervas, në shenjë simbolike mirëseardhjeje, Çelësin e Tiranës, u shpreh se Selaniku ka gjithmonë një derë të hapur në kryeqytetin shqiptar.
“Është një kënaqësi shumë e veçantë që jeni sot në Tiranë dhe mezi pres që Selaniku, si një qytet që ka pasur gjithmonë një derë të hapur dhe një mendje të hapur, të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi për vitin e rinisë. Ne ju konsiderojmë njerëz të shtëpisë sonë dhe jemi shumë mirënjohës për këtë vëllazëri që kemi mes qyteteve tona,” u shpreh mes të tjerash Veliaj.
Ai e vuri theksin edhe tek shkëmbimi i eksperiencave, sidomos mes të rinjve të Tiranës dhe qytetit që pak vite më parë ishte po ashtu Kryeqyteti Europian i Rinisë.
“Ne kemi mësuar nga ju, pasi Selaniku ka qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë në vitin 2014. Ne jemi 8 vite më pas dhe po mësojmë nga më të mirët. Shpresoj shumë që kjo të jetë një platformë fantastike, ku të rinjtë tanë, nëse merren me muzikë, nëse merren me art, nëse merren me sport, nëse merren me teknologjinë e informacionit, të kenë një mundesi fantastike per t’u lidhur me njëri-tjetrin”, nënvizoi Veliaj.
Duke sjellë në vëmendje origjinën e tij të hershme korçare, kryebashkiaku i Selanikut tha se ka shumë miq shqiptarë që jetojnë në këtë qytet.
“Mund t’iu them se stër-stërgjyshja ime ka lindur në Korçë. Më vonë asaj i eshte dashur të shpërngulej në Selanik dhe të krijonte familjen e saj. Unë iu kam qëndruar afër shumë shqiptarëve, të cilëve iu është dashur të lëviznin në ato vitet e vështira nga vendi dhe toka e tyre, për të ndjekur fatin e tyre në Greqi. Shumë prej tyre janë miqtë e mi dhe kjo tregon edhe pse dy kombet janë kaq të afërt me njëri-tjetrin, që mund të jetojnë sëbashku dhe mund të lëvizin dhe në gjeneratën tjetër,” u shpreh Zervas.
Duke iu referuar bashkëpunimit mes dy qyteteve, sidomos në këtë vit ku Tirana është dhe kryeqyteti Europian i Rinisë, Zervas tha se jane perpara shumë projekte të tjera të përbashkëta.
“Jam shumë i lumtur që shumë kompani shqiptare përdorin ekonominë e Greqisë, ashtu si edhe shumë kompani greke janë këtu në Shqipëri, në Tiranë. Pata shansin t’i takoja dhe jam shumë i lumtur për këtë bashkëpunim. Jam këtu si kryetari i Bashkisë së Selanikut për të punuar me kolegun tim, kryetarin e Bashkisë Tiranë, për të shkëmbyer praktika të mira, për të krijuar benefite për të dyja qytetet dhe na duhet që të punojmë fort për këtë. Kjo dhuratë është diçka shumë me vlerë për mua dhe për qytetarët e mi. Jam shpresëplotë që, së shpejti do të vini në qytetin e Selanikut, për t’ju dhënë edhe ju çelësin. Gjithsesi, siç e thatë edhe ju, unë mendoj që para na presin shumë gjëra për të bërë,” deklaroi kryebashkiaku i Selanikut.