
Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj priti kreun e ri të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, me të cilën diskutoi jetëzimin e projekteve të përbashkëta.
ERION VELIAJ
KRYETAR I BASHKISË TIRANË
“Sot kemi dakordësuar që të kemi një festim ndryshe të “Lidhjes së Prizrenit” këtë vit; do të jetë jo në nivel të autoriteteve qendrore, por në nivel të autoriteteve vendore. Të dy do u bëjmë një ftesë komunave e bashkive shqipfolëse në rajon, që të kemi një “Lidhje të Prizrenit” ndryshe dhe të rinovojmë atë besëlidhje mes shqiptarëve, ku na duhet më shumë bashkëpunim, më shumë vëllazëri e më shumë mirëkuptim me njeri-tjetrin”.
Kryetari i ri i Komunës së Prizrenit u shpreh se Tirana është shembulli konkret i një qyteti në zhvillim.
SHAQIR TOTAJ
KREU I KOMUNËS SË PRIZRENIT
“Jo rastësisht viziten e pare zyrtare jashtë Kosovës e beme këtu në Tiranë. Ka pasur një qëllim dhe jep një mesazh, natyrisht që mësojmë shumë gjëra të reja, shumë gjëra të mira, sepse është një qytet i cili është në zhvillim e sipër dhe ne natyrisht kemi nevojë që të marrim jo vetëm ide, por edhe të shohim një shembull konkret sesi zhvillohet qyteti me një temp dhe dinamikë të jashtëzakonshme, e kjo falë punës dhe përkushtimit të kryetarit dhe të ekipit të tij”.
Në përfundim të takimit, Veliaj i dorëzoi në mënyrë simbolike kullën e Sahatit, duke theksuar se ky do të jetë fillimi i një miqësie të gjatë dhe frytdhënëse mes të dyja palëve.