Kryebashkiaku Erion Veliaj tha sot se Bashkia e Tiranës do të japë një subvencion prej 1 milion eurosh për rimëkëmbjen e sektorit të transportit publik, por kërkoi që e njëjta gjë të bëhet edhe për subvencionimin e kategorive të veçanta, siç janë studentët dhe përsonat me aftësi të kufizuar.
Në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Autonominë Vendore, Veliaj kërkoi para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, që fondi i emergjencave civile, i cili i ka kaluar pushtetit vendor, të ndahet jo në mënyrë proporcionale, pasi bashki të ndryshme përballen me fatkeqësi të ndryshme.
“Kemi kërkuar që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, afatgjatë për transportin publik. E kuptoj se është e vështirë heqja e TVSH-së, por ka mënyra të tjera. Subvencionimi mund të jetë një mënyrë. Vetë Bashkia e Tiranës ka vënë 1 milion euro në dispozicion për transportin. I kemi kërkuar qeverisë që, ose në Akt Normativ, ose në buxhet, të vendoset një subvencion për transportin publik, sidomos për qytetin e Tiranës, që transporton një pjesë të madhe të komuniteteve, që s’janë as rezidentë. Edhe Ministria e Arsimit duhet të japë subvencionin e vet për studentët, është pjesë e Paktit për Universitetit. E njëjta gjë vlen edhe për Personat me Aftësi të Kufizuara,” u shpreh Veliaj.
Veliaj ngriti shqetësimin e borxheve të prapambetura, sidomos të ish-komunave që iu janë faturuar bashkive pas ndarjes së re territoriale.
“Një nga shqetësimet që ne kemi janë borxhet e prapambetura të bashkive të trashëguara nga ish-komunat. Duhet një zgjidhje sidomos për bashkitë e vogla. Bashkia e Tiranës i ka likujtuar të sajat,” tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë foli dhe për tatimin e të ardhurave personale.
“Tatimi i të ardhurave personale u vendos si mekanizëm për të përfshirë edhe kryetarët e bashkive për të gjeneruar më shumë punësim. Unë e kam kuptuar si një incentivë që të krijoj tregun në Farkë, apo zonën e lirë ekonomike në Kashar. Ndërkohë që, duke qenë se në vitin 2018 dhe 2019 nuk u bë kjo transfertë, ka filluar për 2020-ën, kemi marrë 1/3-ën. Do doja që ky standard të mos ndryshojë. Na takon me ligj, e ka miratuar ky Parlament. Për bashkitë e vogla kjo është e rëndësishme,” shtoi kryebashkiaku i Tiranës.
Veliaj ndau lajmin e mirë që më në fund fondi i emergjencave civile i ka kaluar pushteti vendor, por për këtë ai kërkoi që të ndahet jo në mënyrë proporcionale, pasi bashki të ndryshme përballen me fatkeqësi të ndryshme.
“Për emergjencat morëm dje një përgjigje pozitive. Qeveria ka vendosur që 4%-shin e emergjencave civile t’ia kalojë pushtetit vendor. Në fund të ditës, është bashkia që çon zjarrfikëset, është bashkia që hap dhe pastron kanalizimet për përmbytjet. Pra, mban barrën më të madhe të këtyre situatave. Ajo që kërkojmë është që të bëhet një vlerësim risku dhe të ndahet sipas frekuencës së fatkeqësive natyrore, jo në mënyrë proporcionale,” tha ai.
Sa i takon situatës të mbetjeve, Veliaj tha se në Tiranë situata dita me natën, por në qytetet bregdetare tha ai duhet një zgjidhje për sezonin veror ku për shkak të turizmit konsumi rritet.
“Kush jeton në Tiranë duhet të jetë i verbër të mos dallojë ku ishim, por përsëri nuk mjafton. Bashkitë bregdetare kanë nevojë për një bonus ekstra gjatë stinës së verës. Sado të përpiqen, në momentin që të 7-8 fishohet popullsia brenda natës jo çdokush arrin të përballojë një fluks të tillë. Do donim që dhe këtu, jo në mënyrë uniforme, por sipas frekuencës, të kenë një bonus të veçantë,” u shpreh ai.