Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka listuar disa nga arritjet e Bashkisë së Tiranës në dy mandatet e para në drejtimin e tij. Në një intervistë në Vizion Plus, Veliaj renditi çerdhet dhe kopshtet si një nga arritjet kryesore duke theksuar se sot ato janë të kërkuara 11 herë për një vend.
Kryebashkiaku u ndal edhe te ndërtimi i shkollave në kryeqytet ndërsa njoftoi edhe lotet e fundit që pritet të përfundojnë.
“Unë besoj se çerdhet dhe kopshtet e Tiranës janë absolutisht arritja jonë më e madhe. Çerdhet dhe kopshtet e Tiranës sot janë të kërkuara 11 herë për një vend. Sot subvencionohet nga bashkia në raportet 7 me 1. Për çdo një lekë që paguhet nga prindërit, shtatë janë të bashkisë. Edhe unë besoj që kushdo që i pare, ka një histori suksesi.
AdvertisementSot lista e shkollave të Tiranës është vërtetë gjerdani ynë i krenarisë. Ka ende një lot të fundit për të bërë janë dy shkollat në Astir, janë dy shkolla te Liqeni i Thatë, dhe dy shkolla në Sauk. Kush ka bërë 40 shkolla i bën edhe këto të fundit. Ndërkohë që ata që nuk ndërtuan një shkollë është më e vështirë”, tha Veliaj.
Veliaj u ndal edhe te projektet infrastrukturore në kryeqytet. Theksin ai e vuri te Piramida, që nga një hapësirë për izolimin do të kthehet një hapësirë drejt hapjes së punëve të reja digjitale.
“Sot Tirana ka një shesh që ka fituar hapësirën më të bukur urbane për Europën në vitin 2018, një vit më pas fitoi çmim, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës është kthyer në super atraksion. Shtëpia Kadare dhe shtëpia e Dritëro Agollit po ashtu.
Piramida nga një institucion ose nga një hapësirë për izolimin do të jetë hapësira më e madhe drejt hapjes, ndaj punëve të reja siç janë punët digjitale dhe të një prone totalisht të transformuar në zemër të Tiranës e dedikuar për të rinjtë dhe të ardhmen, jo një muze për të kaluarën. Ajo që do të bëhet me parkun të Farkës ku do të hapet një hapësirë e re, ku praktikisht do të kemi dy polmonde të mushkërive të Tiranës, parku i Liqenit të Tiranës dhe parku i Liqenit të Farkës, hapja e tregut Agro-Ushqimor për të thyer monopolin e shumicës private dhe për të ulur çmimet për qytetarët. Fillimi i punëve për kopshtin Botanik siç bëmë me kopshtin Zoologjik”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se bashkia është siguruar për çdo stacion të jetës së njeriut e deri te ditët e fundit të jetës. Ai u shpreh se sot Tirana ka më shumë pastërti dhe është më e vizituar, por theksoi se ditët më të mira, kryeqyteti i ka përpara.
“Unë besoj që ne kemi siguruar që në çdo stacion të jetës së njeriut nga lindja ku ti fillon me çekun e bebes dhe një paketë për të ndihmuar ditët e parë deri te dita e fundit ku ne kemi sistemuar varrezat e Tufinës dhe Sharrës si kurrë më parë.
AdvertisementVetëm fakti që sot mjafton të hapësh një aplikacion për ajrin e Tiranës, pastërtia është gjëja për të cilën ndihem më krenar. Tirana është sot më e pastër, më e vizituar dhe po pëson një bum turistik. Po unë prapë besoj që ditët më të mira i kemi përpara”, u shpreh ai.