Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uroi sot Ditën e Hashures për të gjithë besimtarët bektashianë pas një vizite në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
Pas saj, në një dalje për mediat, Veliaj deklaroi se këtë muaj, bashkia po punon për mbylljen e detajeve të fundit në 12 shkolla të reja, të cilat do të hapen në shtator, duke i dhënë fund mësimit me dy turne. Kryebashkiaku shtoi se në Tiranë deri tani janë ndërtuar 40 shkolla të reja, një rekord për qytetin.
“Sot kemi një grup të madh kolegësh që po merren me përgatitjen e vitit të ri shkollor. Në Tiranë do të hapim 12 shkolla të reja. Infrastruktura ndihmon, por është dija ajo që na bën njerëz, që na europianizon, që sjell progres. Një pjesë e shkollave me dy turne ndodh edhe për shkak të një manie që kemi trashëguar nga gjenerata e prindërve tanë, por sot, Tirana ka kaluar nga 42 km katrorë në 1250 km katrorë; së dyti, kemi ndërtuar 40 shkolla të reja; së treti, kemi një sistem ku mësuesit nuk përqendrohen më vetëm në disa shkolla, por ata shpërndahen në çdo shkollë përmes portalit. Me hapjen e 12 shkollave të reja dhe një duzinë me kopshte e çerdhe, këtë vit ulim ndjeshëm mësimin me dy turne dhe nuk besoj se ka një shkollë në Tiranë që të jetë e gjitha me dy turne. Do kemi shumë debate për Tiranën në zgjedhjet që do vijnë, por të paktën nuk do kemi më debat për mësimin me dy turne,” u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, Veliaj bëri thirrje që t’i jepet fund zjarreve të qëllimshme në Tiranë. Ai tha se është e pakuptimtë që ka njerëz, të cilët i vënë zjarrin një fondi pyjor vetëm sepse kërkon të hapë tokë truall, duke zaptuar kështu pasurinë shtetërore.
“Kjo nuk ka për t’u lejuar, por është edhe mëkat. Ndaj, i lutem të gjithë qytetarëve – disa gjëra vërtetë nuk i kemi në dorë, si pandemia apo tërmeti, por zjarret që i vëmë vetë nëpër fshatra janë kriminale, aspak njerëzore. Për të gjitha këto arsye, u bëj thirrje që, në këto ditë kur të gjitha përpjekjet i kemi fokusuar te hapja e shkollave të reja dhe mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit që shfaqen për shkak të temperaturave të larta, të sillemi si europianë sepse të tillë na bën vetëm sjellja”, tha Veliaj.
Ai shtoi se për emergjencat që mund të shfaqen nga zjarret, bashkia është në gatishmëri me tre turne.