Gjatë inspektimit të punimeve për rikualifikimin e një tjetër blloku banimi ndërmjet Kombinatit dhe Selitës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ftoi qytetarët që t’i bashkohen Maratonës së Tiranës që zhvillohet më 20 tetor.
“Kryeqyteti gjithashtu përgatitet këtë fundjavë për Maratonën e Tiranës, kështu që ftesa për të gjithë qytetarët nëse janë tipa të vrapit dhe të sportit, të dalin dhe të na bashkohen, të tjerët nëse duhet të dalin për fundjavë të dalin para orës 7:30-8:00 kur ne fillojmë mbylljen totale për maratonën. Kështu sigurohemi që 4,000 të huaj që vijnë në Tiranë, 4,000 mijë vrapues, atletë dhe familjet e tyre të kenë një kohë të jashtëzakonshme në Tiranë, të kalojnë mirë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shtoi se po punohet për vendosjen e sinjalistikave për mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës.
“Një pjesë e maratonës do të jetë brenda në qytet, kështu që rrugët kryesore tashmë po mbushen me sinjalistikë dhe po pastrohen nga parkimi i makinave, ndërkohë që pjesa tjetër e maratonës do të jenë te Liqeni i Tiranës”, tha ai.
Kryeqyteti do shndërrohet në një kartolinë të bukur këtë fundjavë, ndërsa marrin pjesë rreth 4000 vrapues nga e gjithë bota. /vizionplus.tv