Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama zhvilloi një takim me fermerët në Rrogozhinë, u shpreh se skemat mbështetëse të qeverisë për bujqësinë kanë bërë që produktet bio sot të trefishohen dhe po ashtu të rriten edhe eksportet.
“Fakti që shumë janë kthyer nga emigracioni, kanë filluar t’i qëndisin arat e tyre, të prodhojnë “Made in Albania” kanë filluar të prodhojnë në tokën e tyre, më bën shumë krenar! Jam vërtet shumë mirënjohës për secilin prej jush që dedikon jetën e vet me dashurinë për fshatin. Fakti që sot kemi mbërritur në një situatë ku produktet e fshatit janë trefishuar dhe nëse raporti më parë ka qenë 1 me 7, sot raporti i importit me eksportin është 1 me 3, është falë dedikimit, sakrificës, djersës dhe punës tuaj,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se ka qenë reforma territoriale ajo që ka bërë që bashkitë të dalin nga vijat e verdha dhe të punojnë më shumë për fshatin.
“Ditën e parë kur kam filluar punën si kryetar bashkie nuk e kam menduar kurrë që bashkitë do merreshin dhe me bujqësinë, se ishte diçka që i përkiste komunave. Sot, fakti që me reformën territoriale bashkitë kanë dalë nga vija e verdhë dhe mendojnë më shumë për fshatin se kurrë më përpara, është një histori suksesi e insistimit dhe e dedikimit të Edi Ramës që në çdo bashki ta shohë fshatin dhe punën në fermë si prioritet,” nënvizoi Veliaj.