Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të zhgënjyera dhe zemëruara nga Bashkimi Europian për mungesën e ndihmës në përballimin e pandemisë koronavirus. Kështu shkruan “Financial Times” në një artikull të zgjeruar, teksa thekson se këto shtete tashmë po e kthejnë vëmendjen nga Rusia dhe Kina.
Media e njohur ndërkombëtare sjell në vëmendje shembullin e Serbisë, një vend që lundron shpesh mes Moskës, Pekinit dhe Brukselit, i cili mund të jetë i pari në Europë që mund të arrijë imunitetin e tufës përmes vaksinimit. Qeveria e Beogradit ka siguruar mbi 1 milion doza deri më tani, pjesën më të madhe nga Sinofarm e Kinës dhe Sputnik V e Rusisë.
Kjo strategji ka joshur edhe Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut e deri Kosovën, që nuk kanë marrë akoma një dozë të vetme, sipas “Financial Times”, por edhe Malin e Zi: “Pavarësisht se BE ka garantuar 70 milionë euro për 6 vendet aspirante të Ballkanit për të blerë vaksina, problemet e prokurimit në Europë nënkuptojnë që 4 prej tyre duhet ende të presin marrjen e ndonjë doze, disa muaj pasi vaksinimi ka nisur në disa shtete të tjera. Të frustruar, disa po shikojnë tani nga lindja, në Rusi dhe Kinë, për të siguruar furnizime të vogla”.
Kjo mund të dëmtojë besueshmërinë e BE-së në rajon, sipas disa zyrtarëve të cituar në artikull. Ata mendojnë se Moska dhe Pekini mund ta përdorin këtë situatë për të treguar se në kohë të vështira, Perëndimi dështon të ofrojë ndihmë. I vetmi vend i rajonit, i cili nuk i është futur kësaj rruge, mbetet Shqipëria.
“Në Shqipëri, sidoqoftë, mosbesimi historik për Kinën dhe Rusinë është më i madh se zhgënjimi për Europën. Shqipëria doli 3 dekada më parë nga një prej diktaturave më represive të Europës, e cila u mbështet për shumë vite nga Pekini”, shkruan “Financial Times”.
Ajo citon dhe kryeministrin Edi Rama, i cili thotë se përsa i përket sigurimit të vaksinës është surprizuar shumë keq nga Bashkimi Europian, që e akuzon se i ka kthyer shpinën rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, thekson se dëmi që BE po i bën vetes me këtë sjellje është i pabesueshëm.(a2)