Policia e Tiranës ka arrestuar një person, pasi akuzohet për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fati i lojërave” në pranga ra shtetasi me inicialet P. A., 45 vjeç për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, ky shtetas u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në një lokal në rrugën “Petrit Radovicka”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.