Ulet me 10 % çmimi i energjisë, Rama: Vendim historik që merret për herë të parë në 35 vite

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ulet me 10 % çmimi i energjisë, Rama: Vendim historik që merret për herë të parë në 35 vite

Enti Rregullator miratoi tarifat e reja të energjisë elektrike për periudhën 1 shkurt- 31 dhjetor 2025 për abonentët familjar.

Çmimi final i miratuar me TVSH arrin në 10.2 lekë për KW/h për të gjithë ata që konsumojnë deri në 700 KW/h në muaj.  Ulja është 10 %. Mbi këtë kufi konsumi, çmimi nuk ndryshon, mbetet 11.4 lekë KW/h.

Kryeministri  Edi Rama e konsideroi këtë vendim si historik, pasi në më shumë se tre dekada një vendim i tillë merret për herë të parë.

“Do të ndajmë me publikun një arritje që është nga domethënëset e qeverisë sonë, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike. Është një fakt i cili na mbush me krenari po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë. Nga ana tjetër, po të marrim parasysh se çmimi i energjisë në kohët e sotme është në kundër tendencë të plotë me rajonin dhe kontinentin ku jetojmë, ku çmimet e energjisë janë rritur”, tha Rama.

Advertisement

Për ministren e Energjisë Belinda Balluku kjo vendimmarrje vjen në një moment kur performanca financiare e kompanive në treg është përmirësuar.

“Përfitues nga kjo ulje janë 95% e abonentëve ose 1 milion e 70 mijë abonentë në të gjithë vendin”, tha Balluku.

Rikthimi i çmimit të energjisë elektrike me dy blloqe mbart një sfidë. A do mund të lexohen në kohë të gjithë sahatet në banesa brenda muajit?

“OSHEE ka marrë përsipër që të gjithë faturistët të lexojnë në kohë brenda muajit, 30 apo 31 ditë matësat, për të reduktuar në maksimum ankesat për mbifaturim”, tha Balluku.

Advertisement

Por kreu i qeverisë kishte dhe një përgjigje për të gjithë ata që thonë se kjo lëvizje është elektorale, pasi vjen vetëm 3 muaj para zgjedhjeve të 11 majit.

“Edhe për bonusin e pranverës këtë gjë thanë. Për mua rëndësi ka që mbi 1 milion abonentë përfitojnë ulje të tarifave. Unë si qenie jam elektoral që kur dal nga shtëpia, ndaj çdo gjë që do bëj, do e komentojnë, por mua s’më intereson çfarë thonë” , tha Rama.

Vendimi ka një kosto prej 3.1 miliardë lekësh në vit për kompaninë e shpërndarjes. Ndërsa familjarët kursejnë një faturë normale energjie në vit. Për bizneset tarifat nuk ndryshojnë./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy