![Ulet lehtë çmimi i naftës/ Një litër sot shitet me 243 lekë](https://www.vizionplus.tv/wp-content/uploads/2022/03/a-benzina.gif)
Shtrenjtimi i karburanteve ka sjellë edhe nervozizmin e konsumatorëve, të cilët po protestojnë në mënyra të ndryshme ndaj këtij fenomeni.
Ky qytetar ka vendosur të furnizojë motorin e tij me vetëm 100 lekë ose më pak se gjysmë litri benzinë.
Por kjo e enjte ishte dita e parë kur çmimi i karburanteve nisi kurbën rënëse pas një jave intensive rritjeje.
Në pikat e karburantit u vu re një ulje me gati 30 lekë, duke e çuar çmimin e një litri nafte në 243 lekë, nga 265 që ishte një ditë më parë.
Operatorët pohojnë jashtë kamerave se luhatja e tregut vendas është reflektim i bursave ndërkombëtare.
Kjo ulje në tregun tonë vjen një ditë pasi në bursa çmimi i naftës zbriti në 113 dollarë për fuci, pasi më herët kapi nivelin prej 130 dollarësh.
Në tregun vendas, nafta u shtrenjtua brenda një jave: nga 193 lekë kur ishte 90 dollarë në bursa, në 260 lekë ditën që ajo shkoi në 130 dollarë.
Për këtë situatë, Autoriteti i Konkurrencës thotë se e ka nën monitorim tregun e karburanteve, por ende nuk ka provuar nëse ka abuzim nga ana e operatorëve dhe nëse këta të fundit kanë bërë marrëveshje me njëri-tjetrin për të përcaktuar çmimet.
Vetëm në rast të prishjes së konkurrencës, shton Autoriteti, ekziston hapësira ligjore për të të ndërhyjë dhe jo për të rregulluar çmimet. Ndërsa sa i takon çmimit fundor të karburanteve me të cilat përballen qytetarët, sipas Autoritetit, kjo është në tagrin e shoqatave që merren me mbrojtjen e konsumatorëve.