Pas 50 vitesh, shumë shpejt Belshi do të ketë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, përmes një rrjeti modern dhe të standardeve më të larta të infrastrukturës.
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan bashkë me kryetarin e Bashkisë Belsh, Arif Tafani, inspektuan punimet që po realizohen për ndërtimin e ujësjellësit. Për herë të parë, në këtë ujësjellës po pilotohet funksionimi i tij përmes autoprodhimit të energjisë elektrike duke reduktuar në këtë mënyrë kostot.
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri u shpreh se falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor, ky investim zgjidh një nga kërkesat e komunitetit.
“Jemi në fazën përfundimtare të punimeve për zhvillimin e rrjetit të ujësjellësit në Bashkinë e Belshit. Një projekt që ka një total investimi rreth 10 milion euro dhe shumë risi siç është edhe përfshirja e paneleve fotovoltaikë për uljen e konsumit të energjisë. Një provë e qartë që Bashkia e Belshit nuk është vetëm një Bashki që u transformua nëpërmjet fytyrës urbane dhe është një nga pikat më të frekuentuara, por tashmë do ketë dhe një infrastrukturë shumë funksionale. Mbulohet gati mbi 70% e popullatës së Bashkisë. Kjo është një arritje e madhe dhe është bërë falë bashkëpunimit të mirë të Bashkisë me qeverinë shqiptare”, deklaroi ai.
Gjiknuri nënvizoi se investimet në këtë zonë do të vijojnë, ndërsa falënderoi për bashkëpunimin dhe pushtetin vendor.
“Janë investime që vlejnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Belshi si një bashki me një dinamikë të vrullshme zhvillimi, qoftë në bujqësi, qoftë në turizëm, do jetë pak nga pak një nga bashkitë që do t’i bëjë krenarë të gjithë këtë zonë për ç’ka është bërë. Kështu që unë dua ta falenderoj Kryetarin e Bashkisë, të gjithë strukturat e ujësjellës – kanalizime të cilët kanë bërë këto projekte dhe që po i menaxhojnë siç duhet në kohë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë së Belshit Arif Tafani u shpreh se rrjeti i ri do të zgjidhë problemin e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm 24 orë.
“Jemi në fazën e tretë të punimeve të ujësjellësit në Belsh. Po punohet për ndërtimin e rrjetit të brendshëm të ujit të pijshëm në qytetin e Belshit i cili u shërben 5600 banorëve. Punimet janë në fazën përmbyllëse. Me përfundimin edhe të panelit fotovoltaik, ne shpresojmë që brenda muajit të fusim në funksion rrjetin e ri të ujësjellësit”, theksoi Tafani.
Investimet në Bashkinë e Belshit po e kthejnë gjithë zonën në një hapësirë turistike dhe agroturistike.