Mandati i deputetit socialist Vullnet Sina mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetues. Kjo pasi grupi parlamentar i Partisë Demokratike do t’i dërgojë Kuvendit një kërkesë dhe do kërkojë që t’i hiqet mandati.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat, PD pretendon se nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.
“Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.
Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend“, thuhet në njoftimin e PD.
Kujtojmë, se në Kongresin e PS që u mbajt në datën 28 korrik, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Sina, i cili është deputet i dalë nga qarku i Vlorës, nuk do të jetë më pjesë e zgjedhjeve në 2025.
Rama u shpreh kritik ndaj deputetëve të cilët nuk kanë bërë asgjë vetëm për interesat e tyre, por tha se ka deputetë të cilët kanë bërë shumë për qeverinë, e një nga këta sipas kryeministrit është dhe deputeti Vullnet Sina.
“Fatmirësisht i kemi deputetët pa të cilët kemi arritur shumëcka në këtë mandat të tretë dhe I kemi dhe deputetët që nuk mungojnë as kur duhet të ulen në karrige për të marrë vendime, e as kur duhet ti japin këmbëve për të takuar zgjedhësit. Vullnet Sina është njëri prej tyre”, tha ndër të tjera Rama në fjalën e tij në Kongresin e PS.