Rigels Rajku, i njohur si Noizy është arrestuar në Lezhë dy ditë pasi u shpall në kërkim nga policia e Kosovës për plagosje të rëndë në njëklub nate në Pejë. Së bashku me të në pranga ra edhe DJ tij Bahtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax.
“Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndaj tyre rëndon vepra penale “lëndim i rëndë trupor”.
Në kërkim gjithasthtu është shpallur edhe Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi. Ai akuzohet të jetë i përfshirë në sherrin e ndodhur në lokalin e natës ne Pejë.
Si nisi përplasja në klubin e natës
Sherri mes pjesëtarëve të grupit OTR dhe personazhit të njohur të Tik-Tok Muhamet Iseni, i njohur si Medi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit në një klub nate në Pejë.
Shkak i përleshjes dyshohen videot të Tik-Tok të Medit, i cili prej kohësh ofendon reperat Noizy dhe Stresi. Vetë Stresi dhe Noizy kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me sherrin dhe nuk kanë ndërhyrë për të rrahur Medin Isenin, me të cilin kishin zënka në rrjetet sociale.
Medi Iseni nga ana tjetër akuzon se “u pre në besë” nga Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij./vizionplus.tv