Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar pezullimin nga detyra, të 2 punonjësve të Policisë, Ervis Hasa dhe Redi Mato.
Të dy këta persona ishin punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Elbasanit.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Ervis Hasa është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin Redi Mato, 23 vjeç (punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit), gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit.
Burime i thanë Vizion Plus se konflikti midis dy punonjësve të Policisë ka nisur për një vajzë.
Gjatë konfliktit, Redi Mato në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë, shtetasin Ervis Hasa, i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryen hetimet e mëtejshme për këtë rast, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre, për shkelje të rëndë disiplinore. Procedimi disiplinor ka nisur krahas procedimit penal të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.