Goditet një tjetër rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit Gj. V., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Xh., 50 vjeç, banues në Berat (drejtues të autobusit).
Arrestimi i tyre u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në mjetin autobus që këta shtetas drejtonin, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, u gjetën mallra (veshje, produkte kozmetike dhe 40 steka me cigare), të cilat këta shtetas i kanë futur në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar në Degën Doganore Kakavije.
Në përfundim të veprimeve hetimore u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit Y. R., 50 vjeç dhe E. H., 47 vjeç banues në Gjirokastër, me detyrë doganierë në Degën Doganore Kakavije.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat. Vlera totale e mallrave shkon rreth 8000 euro. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.