Maqedonia e Veriut i ka kërkuar Kosovës lehtësira për qytetarët e saj gjatë kalimit të kufirit mes dy shteteve, respektivisht rishqyrtimin e vendimit që parasheh hyrjen në Kosovë me tri doza të vaksinave kundër COVID-19 apo dy doza dhe test negativ PCR.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Verit, Bekim Sali, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij kosovar, Rifat Latifi.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri Sali tha se “ka mirëkuptim për vendimin e Qeverisë kosovare, që ka ardhur duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në shtetin fqinj, si dhe kapacitetet e tyre për përballjen me këtë valë të virusit”.
Por, në të njëjtën kohë ai tha se i përcolli ministrit Latifi, reagimet e shumta të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për pengesën që ka shkaktuar vendimi në lëvizjen e tyre drejt Kosovës.
“Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë, kërkova nga homologu im Latifi, që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë”, ka shkruar ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali.
Masat e reja në Kosovë kanë hyrë në fuqi në 23 janar.