Policia Rrugore vazhdon kontrollet intensive në rrugë për të parandaluar aksidentet për shkak të sjelljeve të rrezikshme të shoferëve. Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka marrë tri telefonata nga qytetarët për drejtues mjetesh që kryenin manovra të rrezikshme në rrugë.
“Telefonata e parë për një drejtues mjeti që kryente manovra të rrezikshme në rrugë, në zonën e Yzberishtit. Shërbimet e Policisë Rrugore, sapo e konstatuan, i dhanë shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk u bind dhe vazhdoi ndjekjen duke shkelur disa rregulla të tjera të qarkullimit rrugor, aksidentoi me dëme materiale dhe një mjet tjetër, deri sa u bë i mundur ndalimi i tij. Pas verifikimit me aparatin alkooltestues, rezultoi se shtetasi D. M., 33 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë, drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.99 mg/l testi i parë dhe 0.98 mg/l testi i dytë.
Telefonata e dytë ishte për një mjet tip “Skoda”, që kryente manovra të rrezikshme duke qarkulluar në sens të kundërt në rrugën e Rinasit. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë të mundur bllokimin e mjetit. Pas verifikimit me aparatin alkooltestues rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi A. B., 20 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë, drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.99 mg/l testi parë dhe 1.07 mg/l testi i dytë.
AdvertisementTelefonata e tretë ishte nga qarkun Fier, ku drejtuesi një motoçiklete pa targa kryente manovra të rrezikshme në aksin rrugor Seman-Fier. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë bërë bllokimin e motoçikletës dhe nga kryerja e alkooltestit rezultoi se drejtuesi i motoçikletës, shtetasi A. M., 52 vjeç, drejtonte motoçikletën në gjendje të dehur, në masën 1.35 mg/l”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh, nga të cilët 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 10 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar gjithsej 44 leje drejtimi, nga të cilat 37 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 7 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.