Finalizohet operacioni policor i koduar “Kranea”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar tre të rinj: – E. S.,19 vjeç, K. R., 20 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe K. M., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë në Konispol, në afërsi të kufirit të gjelbër me shtetin grek, 6 shtetas sirianë që kishin hyrë në mënyrë të parregullt në vendin tonë, me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt pagesës 300 euro, me destinacion final vendet e BE-së.
Në kuadër të operacionit, në urën e Kranesë, është bërë bllokimi i dy automjeteve dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve të lartpërmendur. Në cilësinë e proves materiale janë sekuestruar dy automjete të marra me qira në Tiranë, 6 aparate celulare dhe një shumë parash.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.