Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë kthyer në sport politikën e përçarjes. Ai tha se ata vetë jetojnë mes luksit në Gjirin e Lalëzit, ndërsa Tiranën e kanë si vendin ku do hedhin helmin e radhës.
“Sot kemi drejtues politikë të opozitës, njerëz që nuk shkojnë dot deri në Rinas, se po të ka bërë “non grata” Amerika, Anglia dhe Bashkimi Europian, nuk shkon dot deri në Rinas. Ata e kanë kthyer në sport përçarjen tonë. Çohen të dy në mëngjes te Gjiri i Lalzit, fusin këmbët në pishinë, u vjen shërbëtorja, u sjell kafen dhe i thonë njëri-tjetrit: ‘- Çfarë do të bëjmë sot, Ilir? – Sot Sali, do të bëjmë atë që kemi bërë përherë në 30 vjet, do shkojmë të helmojmë Tiranën, të mbjellim sherrin tonë, dhe teksa njerëzit diskutojnë për sherrin tonë, të organizojmë edhe një rrëmujë nëpër Tiranë, të themi edhe një helm të fundit, para se të mbyllen lajmet në televizor, dhe pastaj kthehemi prapë në Gjirin e Lalzit’. Këta e kanë sport këtë. Por, di t’ju them se, sa e kanë ata sport të na përçajnë, aq shumë e kemi ne pasion që të bashkojmë dhe të punojmë me dashuri”, u shpreh Veliaj me banorët e Njësisë 9, ku u ndal në turin e konsultimeve për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Tirana është sot në ditën më të mirë – tha më tej kryebashkiaku – ndërsa e kishte një përgjigje edhe për ata që thonë se në Tiranë nuk jetohet:
“Jam më i bindur sot se kurrë që, Tirana është në ditën e vet më të mirë. Për të gjithë ata që thonë se nuk jetohet në Tiranë, sidomos kur dëgjon Saliun dhe Ilirin me vila këtu, me vila atje, [në Lalz], me salltanete, për sa kohë që ky qyteti ‘i tmerrshëm’ ku nuk jetohet i ka bërë edhe presidentë, edhe kryeministra – kur funksionon për ta është qytet i mirë, kur nuk funksionon për ta, qenka qytet i keq! Nëse ky qytet do të ishte kaq ‘i tmerrshëm’, pse u vendos që për herë të parë të gjithë krerët e shteteve të Bashkimit Europian të vijnë në datën 6 dhjetor në Tiranë?! Se po të ishte ‘i tmerrshëm’, do ishin takuar në një qytet tjetër. Si ka mundësi që dy vite rresht Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe pastaj i Sportit!”, tha Veliaj.
Advertisement
Tirana, shtoi ai, përfaqëson sot tepelensë, tropojanë, nga Këlcyra, nga Kopliku, nga Kukësi, nga Gjirokastra, nga të gjithë cepat e Shqipërisë, nga Presheva, nga Tetova, nga Tuzi, nga gjithë Kosova. Ata që shajnë më shumë ndërtimet dhe oligarkët – tha Veliaj – jo vetëm që nuk ua përmendin as emrat në ekran, por u kërkojnë edhe haraçin për këtë “shërbim”.
“Këta të fyejnë inteligjencën. Kur i pyesin në televizion: ‘Më thuaj kush është oligark? Jo, po, shiko se nuk, ashtu’. Më thuaj mor, kush është oligark, më thuaj emrin? Unë s’e kam problem fare, unë u çoj taksën 10-fish aty dhe u them investimi – investim, respekte për kontributin që jepni, por do paguani taksën. Kurse këta janë aq të dobët, janë aq pa kurajë, jo vetëm që nuk ua thonë dot emrat, por menjëherë pas emisionit thonë: ‘Shefi, nuk të përmenda aty. Jemi në rregull bashkë?’. Medemek, do më ndihmosh me ndonjë copë kockë? Kjo nuk funksionon kështu! Për ne socialistët, secili njeri ka një emër. Nuk jemi kundër pasanikëve dhe nuk jemi kundër biznesmenëve, por meqë po fitojnë aq shumë në një qytet që po zmadhohet kaq shumë, do paguajnë 10-fishin e taksës, se kjo është më e ndershme sesa t’i shash si oligarkë dhe mos të kesh kurajë as t’ju përmendësh emrin,” e mbylli argumentin e tij kreu i Bashkisë.