Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kreun e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ata diskutuan për bashkëpunime në projekte që i përkasin fushës së bujqësisë, si dhe për të mësuar nga eksperiencat e mira mes qyteteve.
Veliaj i dhuroi Latifit “Kullën e Sahatit” të Tiranës.
Një qytet i madh duhet të jetë modest. Kur shikon një mik, një vëlla që po e bën mirë një punë mirë, duhet të mësojë prej tij. Ajo që ne mund të mësojmë prej jush është si të punojmë në fushën e bujqësisë. Kemi filluar me disa përpjekje shumë dinjitoze, por besoj fort se disa nga rrethinat e Tiranës mund ta përdorin si shembull atë që po ndodh në Rahovec – me vreshtarinë dhe përpunimin e rrushit, duke u kthyer në epiqendër të shumë produkteve të Kosovës – tregon se si një qytet mund të jetojë duke investuar te bujqësia.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se e mirëpret bashkëpunimi mes dy qyteteve, sa i përket fushës së bujqësisë.
Është lajm jashtëzakonisht i mirë që jemi pjesë e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon. Jam shumë i nderuar të jem këtu. Ne vijmë shpesh në Tiranë, jemi përpjekur të bëjmë punë të mira dhe tashmë, bashkë me kryetarin e Bashkisë, kemi çfarë japim, kemi shumë çka i marrim Tiranës, në mënyrë që Kosova evropiane, Shqipëria evropiane, shqiptarët evropianë, të kenë mundësi që përmes këtij bashkëpunimi të mirëfilltë, të zhvillojnë edhe projekte të përbashkëta, të cilat na bëjnë krenarë të gjithëve.
Veliaj shtoi se Tirana do të bëjë më shumë për të promovuar Rahovecin.