Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në kryeministri sërish krerët e bashkive, ku në fokus është performanca e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
E pranishme në takim, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se ka një keqmenaxhim dhe se performanca e këtij sektori është shumë e dobët.
“Kemi marrë në analizë të thellë sektorin e ujit, janë prekur të gjitha zonat, urbane dhe rurale. Kam raportuar te kryeministri performancën e këtij sekretoi që le për të dëshiruar dhe nuk do përjashtoja asnjë ndërmarrje të ujësjellësit. Duke hequr mënjanë Korçën dhe Pogradecin, kemi identifikuar që pavarësisht procesit të agregimit para disa vitesh, sërish performanca e ujësjellës kanalizimeve në të gjitha bashkitë, mbetet e dobët. Të gjitha shifrat janë jo në përputhje me shifrat e inevstimeve në ndërmarrjet tuaja. 39% e ujësjellës kanalizime furnizojnë më pak se 10%, 28% kanë një nivel të humbjeve mbi 67% dhe një fenomen shqetësues është që në ato ujësjellës ku ne investojmë, kemi patur edhe rritje madje të humbjeve. Ndërkohë që investohet, rritet përqindja e ujit të papaguar dhe kjo është ajo sasi që vidhet në rrjet ose që humb për shkaqe teknike. Duke u përballur me këtë fakt na lind e drejta të mendojmë që ka keqmenaxhim nga drejtuesit e e ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve”, tha Balluku.