Me vendimet e fundit të Ministrisë së Arsimit, mësimi do të zhvillohet online për të paktën një javë në të gjitha shkollat e vendit. Por duket se procesi nga shtëpia është më i vështirë për maturantët, të cilët përgatitjet për provimet e maturës shtetërore, po i bëjnë nëpërmjet një platforme virtuale, raporton “Vizion Plus”.
DORINA BORAKAJ
MESUESE
“Ndiqet një orar rigoroz, ora e parë fillon 10:00 me 11:00, ndërsa e dyta 11:00-12:00, e treta 12:00-13:00. Nga 60 minuta. Duke marrë nga përvoja e vitit të kaluar, këtë vit po zhvillohet mirë mësimi. Nxënësit kanë arritur të përfitojnë për aq sa ne kemi mundësi, dhe mësimi ka qenë në rregull, është bërë puna maksimale, aq më tepër për lëndët e maturës.”
AdvertisementKOZETA KRIMÇE
MESUESE
“Kanë nisur përgatitjet e tyre për provimet e maturës. Ne punojmë online me Akademi.al. Është rritur numri i maturantëve, kjo tregon që ata e kanë marrë me përgjegjësi, duke qenë se ato kishin dhe mangësi nga viti i kaluar për periudhën e karantinimit. Ne kemi bërë dhe një grafik me orët përsëritëse për përgatitjen e maturës shtetërore.”
Ana Angjo është maturante në shkollën e mesme “Gjergj Pekmezi” në Pogradec. Edhe pse një nxënëse ekselente, ajo shpreh për “Vizion Plus” shqetësimin se metoda e mësimit në distancë mund të penalizojë mësimnxënien.
ANA ANGJO
MATURANTE
“Një pjesë të mësimit e bëmë me Akademi.al, një pjesë me Whatsapp, se kishte shumë ngarkesë platforma. Mendoj se mund të më penalizojë mësimi online, se ndryshon shumë nga ai që bëjmë me mësuesen në klasë. Mund të krijojmë boshllëqe, dhe të më ndikojë te provimet e maturës. Shpresoj që të kthehemi në shkollë sa më shpejt.”
Advertisement
Mësimi do të vazhdojë online në të gjitha shkollat e vendit deri më 19 shkurt. Përjashtim bëjnë 215 gjimnazet në 10 bashki të vendit, ku procesi në distancë do të zgjatet deri më datën 25 të këtij muaji.