Partia Demokratike kërkon që të falen të gjitha pagesat e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin për shtresat në nevojë; pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, kryetari Sali Berisha deklaroi se nesër në parlament beteja ë opozitës do të jetë për të shtrirë faljen tek energjia dhe uji.
“Ne do kërkojmë faljen e të gjitha gjobave dhe kamatë-vonesave që ekzistojnë për energjinë elektrike, për të gjitha shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla pa përjashtim. Ju e patë se për çfarë i përdor OSSH dhe KESH paratë, i ndajnë njëri me tjetrin, në një kohë që atyre që nuk kanë realisht për të paguar, u presin dritat, i arrestojnë dhe e përdorin si një mjet dhune dhe presioni ndaj tyre”, tha Berisha.
Amendamentet e depozituara nga PD në parlament parashikojnë edhe faljen e masave administrative që tatimet kanë vendosur mbi bizneset për mos respektimin e afateve. Gjithashtu opozita kërkon edhe faljen e të gjitha gjobave të vendosura nga policia bashkiake dhe policia e shtetit. Sipas opozitës drafti i propozuar nga socialistët për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje është i pamjaftueshëm.
“Ligji i blofit ishte ligji i faljes së gjobave që nuk janë gjoba sepse asnjë gjobë e vendosur mbi atë nen të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, jo vetëm që nuk mund të kërkohet, por detyrohet shteti, dhe i garantoj ata që i kanë paguar se qeveria e PD do t’i rikthejë ato gjoba. Përderisa gjykata e ka gjetur antikushtetues nenin, qindarkë për qindarkë, kushdo që ka paguar gjobë mbi atë nen, do marrë gjobën mbrapsht”, tha Berisha.
Nesër është mbledhja e fundit e parlamentit për këtë vit, dhe një prej ligjeve më të rëndësishme që do të miratohet është ligji për faljen ë gjobave. Drafti i deputetit të PS, Erjon Brace, parashikon faljen e gjobave të vendosura ndaj atyre që kanë ndërtuar shtëpi pa leje në fshat apo qytet, faljen e gjobave të vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe gjobat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë për shkeljen e rregullave./vizionplus.tv