Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet gjatë fundjavës duke përdorur radarë, dragera, patrulla në lëvizje me mjete të paloguara, kamera e aparate fotografike.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë fundjavës janë arrestuar 16 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Gjithashtu është vënë në pranga, për mitëdhënie, një tjetër drejtues mjeti në gjendje të dehur, i cili për të shmangur testin e alkoolit, i ofroi punonjësve të Policisë Rrugore 5.000 lekë të rinj. Kurse me gjobë nga 10.000 deri në 20.000 lekë të rinj secili, janë ndëshkuar 12 drejtues mjetesh, për drift në sheshin “Nënë Tereza” dhe tek TEG-u.
Si dhe janë gjobitur 9 drejtues të tjerë mjetesh, me nga 20.000 deri 40.000 lekë të rinj secili, për gara shpejtësie në Unazë të Re, në segmentin Liqeni i Thatë – TEG. Njëkohësisht, janë ndëshkuar me nga 20.000 deri në 30.000 lekë të rinj, për shkelje të semaforit 18 drejtues mjetesh; 14 drejtues mjetesh luksoze, me nga 5.000 deri në 20.000 lekë të rinj secili, për xhama të zinj, modifikim targash dhe mangësi të theksuara në dokumentacion.
Janë pezulluar 35 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit si dhe janë vendosur 256 masa administrative, për parakalime të gabuara dhe parkime mbi trotuar apo në vija të bardha.