Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mbyll hetimet për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës.
Si të akuzuar përpara gjykatës SPAK dërgoi Talo Çelën, i cili ka masën e sigurimit “Arrest në burg”, të dhënë në mungesë, pasi ai është në arrati. Talo Çela akuzohet për veprat penale:
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e krijuesit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”;
“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentative, e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Irfan Hazizi.
“Mbajtjes pa leje, prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.
Vëllezërit Haxhia u ekzekutuan më 27 prill brenda makinës së tyre, të llojit “Volkswagen”, me 55 plumba. Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre.
Talo Çela është bërë i njohur si një nga autorët e vrasjes përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla,të arrestuar për ekzekutimin e Besmir dhe Viktor Haxhia.
Prokuroria kishte dyshime se dy viktimat kishin njohje me grupin e grabitësve të Rinasit pasi në telefonin e tyre u zbuluan mesazhet me Admir Muratajn, kreun e grupit kriminal.