Vendi po kalon krizën më të madhe të konsumit, por nga data 1 mars, Rusia, vend nga i cili importojmë pjesën më të madhe të drithërave, do të aplikojë një taksë që arrin në 50 euro/ton për katër muaj.
50% e saj nisi aplikimin në datën 15 shkurt, ndërsa pjesa tjetër bëhet efektive në muajin mars. Adi Haxhiymeri, kryetari Shoqatës së Prodhursve të Miellit, deklaroi në E-ZONE, se përgjatë 2020 gruri ka pësuar një rritje të vazhdueshme të çmimit, ndërsa taksa e re pritet të rrisë më tej kostot.
“Deri më tani, rritja nuk është ndjerë, pasi tregu është amortizuar nga rezervat, por rritja e çmimit përgjatë 2020, si dhe taksa e re nga Rusia, do të sjellë një rritje prej 75% të lëndës së parë që është gruri. E thënë ndryshe, aktualisht, çmimi për një ton grurë është rritur me 100$; shto këtu edhe taksën e re ruse, rritja do të kalojë 160$ /ton. Kjo rritje është e konsiderueshme dhe do të përcillet në treg”, shpjegon Haxhymeri.
Por, sa do të reflektohet kjo rritje në tregun vendas?
“Nuk mund t’ju them se sa ndikim do të ketë kjo në treg; çdo gjë do të varet nga ecuria e mëtejshme, ne si operatorë tregu s’kemi gjë në dorë për të frenuar situatën. Arsyeja pse ne importojmë në Rusi është se tek ky vend gjendet cilësia dhe çmimi më i mirë. Nuk ka të njëjtin çmim me vendet e tjera europiane.”
Rusia është partneri kryesor i importit të drithërave, me 54 %, ndërsa partneri i dytë është Serbia. Shqipëria importon në vit rreth 366 mijë ton drithëra, ku përfshihen grurë, elb dhe misër.