Gjykata e Apelit ka hequr masat e sigurisë për pesë punonjësit e IT-së, nga Ministria e Brendshme dhe Departamenti i Administratës Publike që akuzohen për shpërdorim detyre, pas sulmeve të një pas njëshme kibernetike të sistemeve shtetërore.
Gjykata e Tiranës vendosi për pesë punonjësit masën e sigurisë të detyrim paraqitje, ndërsa ky vendim ra poshtë nga Apeli.
Që prej vitit 2021, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti, që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.
Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.
Të dhëna konfidenciale të personave publikë, që nga kreu i SHISH deri tek kryeministri, janë publikuar herë pas herë nga hakerat në faqen “Homeland Justice”.
Referuar raportimeve te mëparshme ne media, lidhur me procedimin penal për sulmin kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen e menaxhohen nga AKSHI, mbi kërkesat e prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar ndaj personave nën hetim Znj. A. S., Z. I. L., Znj. R. Ll., Z. A. S. masën e sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si të dyshuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”
AdvertisementMbi ankimet e personave nën hetim të sipërcituar, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga gjyqtari Z. Genti Shala, me vendimet respektive të datës 22.12.2022, vendosi të shfuqizojë vendimet e marra nga gjykata e shkallës së parë për caktimin e masës së sigurimit.