Moti i keq me stuhi dhe reshje bore ka pushtuar vendin dhe veçanërisht zonat veriore.
Për këtë shkak Drejtoria e Policisë Shkodër dhe ajo Rrugore kanë marrë masat e duhura, me qëllim shmangien e aksidenteve dhe këshillimin e drejtuesve të mjeteve.
Shërbimet kanë rritur numrin e patrullave dhe forcave në akset rrugore urbane e rurale, si pasojë e motit te keq me reshje shiu dhe dëbore.
Aktualisht në akset rrugore Tamarë-Selcë-Vermosh; Bogë-Qafë Thorë-Theth dhe Pukë-Fushë Arëz-Qafë Mali, ka prezencë të dëborës, pasi vijojnë pa ndërprerje reshjet e dëborës.
“Borëpastrueset janë në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga bora dhe për shpërndarjen e kripës. Shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me borëpastrueset i kanë shkuar në ndihmë një drejtuesi mjeti nga Saranda, i cili kishte mbetur i bllokuar në aksin rrugor Theth-Bogë, dhe kishte kërkuar ndihmë te 112, pasi duke qarkulluar me goma verore e kishte të pamundur të vijonte lëvizjen”, thuhet në njoftim.
Policia Rrugore apeloi gjithashtu për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve. /vizionplus.tv